Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se festa e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbyllet pa e ndarë gëzimin dhe krenarinë e vendit tonë me mërgatën tonë, e cila i ka dhënë shumë Kosovës për arritjen e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, raporton Fol Drejt.
“Festa e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbyllet pa e ndarë gëzimin dhe krenarinë e vendit tonë me mërgatën tonë, e cila i ka dhënë shumë Kosovës për arritjen e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Falënderim për Prof. Djawed Sangdel, drejtor menagjues i Swiss UMEF University, në hapësirat e të cilit patëm një takim mbresëlënës me komunitetin shqiptar në Kantonin e Gjenevës.”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ai tha se mërgata shqiptare në Zvicër, përveç që kanë dhënë gjithçka për Kosovën, po ashtu ka sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Krasniqi shtoi se Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit qytetar të Kosovës, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës dhe fushave të tjera këtu në Zvicër.
“Është për t’u përshëndetur fakti se mërgata jonë ka arritur të integrohet më mirë se kushdo tjetër nga jashtë, pa e shkëputur as edhe më të voglin element që i lidhë me Kosovën dhe me kombin tonë.”, theksoi tutje Krasniqi.
Në fund, ai qartësoi se dilema rreth të ardhmes nuk ka dhe se duke krijuar mundësi për rikthimin e trurit dhe investitorëve nga mërgata në Kosovë, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më prosperuese për shtetin dhe qytetarët e vendit. /FolDrejt/