Gjatë ditës së djeshme, 13 minatorë të Minierës së Trepçës u lënduan si pasojë e një shpërthimi të një bidoni me acid sulfurik.
Nga ta, 2 prej tyre pësuan lëndime më të rënda, mirëpo jashtë rrezikut për jetë.
Për këtë ngjarje, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar përgjegjësi.
Ai tha se është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje “e cila ka mundur të përfundojë me fatalitet”.
Në një postim në Facebook, ai tha se përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj qeverisë aktuale, “minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat”.
“Qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës”, deklaroi Krasniqi.
Ai u dëshiroi shërim të shpejtë punëtorëve të lënduar dhe mbështetje të plotë.