Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi po qëndron për vizitë zyrtare jashtë vendit, transmeton Fol Drejt.
Siç njofton vetë Krasniqi, dje ka zhvilluar disa takime të rëndësishme në Senatin, Parlamentin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.
“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.
Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet. “, ka njoftuar Krasniqi.
Ndërkaq, Krasniqi ka thënë se në takim me kabinetin e ministrit për Punë të Jashtme të Francës është takuar me Adrien Frier, ku ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së lidhur me këto zhvillime.
“Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor.”, ka shtuar më tej Krasniqi./FolDrejt/