Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar vendimin për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, duke thënë se tërheqja e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut, shkruan Fol Drejt.
Krasniqi shkroi në Facebook që partia të cilën e drejton i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional.
Ai shtoi se, përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor. Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
“Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara”, theksoi Krasniqi.
“Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zbrapsën” shkroi ai. /FolDrejt/