Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës është sjellë projektligji për trustin, ka reaguar ndaj qëndrimit të Qeverisë kundër miratimit të këtij projektligji.
Në replikën e tij, Krasniqi tha se arsyetimi i Kurtit se nuk mund të lejojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti pasi rrënohet e ardhmja e pensionistëve, nuk qëndron, transmeton Fol Drejt.
“Kurrgjë nuk the sepse me mjeshtërinë tënde e ktheve në personale. Kjo nuk të ka hije. Ti sot po thua që po ua bartim dertin (qytetarëve) kur të dalin në pension. Ti duhet t’ua bash dertin për problemet që i kanë tani”, deklaroi Krasniqi
“96 për qind e qytetarëve kanë më pak se 20 mijë euro në Trust, po i heqim ata që kanë më shumë, pra po i largojmë pasanikët. Për çfarë rrënimi të së ardhmes po flet? Qysh rrënohet Fondi nëse i tërheqim vetëm 15 për qind të mjeteve. Mos fol në emër të qytetarëve sepse nuk i ke takuar”, shtoi ai. /FolDrejt/