Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me zhvillimet pas përfundimit të takimit në Bruksel, duke konsideruar se kryeministri Kurti sonte tkurri sovranitetin e Kosovës.
Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale “dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.
Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë. “, ka shkruar Krasniqi në postimin e tij ne facebook.
Sipas Krasniqit, aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
“Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. “, ka shtuar Krasniqi ndër tjerash./FolDrejt/