Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Kurti për, siç tha ai, pranimin e propozimit franko-gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim, shkruan Fol Drejt.
“Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje, ai pyeti Kurtin se ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?
“PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë. Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti.”, tha në fund të postimit të tij Krasniqi. /FolDrejt/