Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi vizitën e tij zyrtare në Washington e ka përfunduar me një takim në selinë e Këshillit Atlantik me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, shkruan Fol Drejt.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai tha se me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik, kishin një diskutim të hapur dhe përmbajtësor lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, nëpër të cilat po kalon vendi dhe rajoni ynë.
Tutje, ai tha se ka shprehur qëndrimin dhe synimin e paalternativë të popullit të Kosovës për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB.
“Së bashku me miqtë tanë në SHBA, nëpërmjet bashkëpunimit dhe ideve të përbashkëta, ne do të angazhohemi për hartimin e strategjive të mirëfillta politike në kuadër të vizionit tonë për të ndërtuar një vend më të lirë, më të sigurt dhe më prosperues”, shtoi në fund Krasniqi. /FolDrejt/