Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur se nuk mund të ketë shtet të zhvilluar nëse nuk ka sektor privat të fuqishëm.
Këtë konkluzion, i pari i PDK-së e bëri nga diskutimet që pati sot në Gjilan, me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, me ç’rast siç ka bërë me dije Krasniqi, është njoftuar me sfidat e përditshme të këtij sektori.
“Ata ndanë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, sepse shumë profesionistë po e lënë Kosovën në mungesë të perspektivës në vend.
Ky fakt, përveç i dhimbshëm, është edhe shqetësues. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur. Keqqeverisja dhe trajtimi armiqësor ndaj bizneseve, po i dekurajon ndërmarrësit”, u shpreh Krasniqi përmes një postimi në Facebook.
“Kjo politikë i ka larguar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin filluar ta shohin Kosovën si vend potencial për investime.
Shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze.”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/