Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se partia që udhëheq, PDK, u anëtarësua në Internacionalen Liberale, transmeton Fol Drejt.
“Sot, në Ottawa të Kanadasë, në mbledhjen e 206-të Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Liberale (LI), Partia Demokratike e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate.
Pas pranimit vitin e kaluar në LIBSEEN, ALDE dhe sot në Internacionalen Liberale, zyrtarisht, Partia Demokratike e Kosovës bëhet e vetmja parti nga Kosova e cila bëhet anëtare me të drejta të plota në të gjitha nivelet e organizatave më të mëdha politike – rajonale, evropiane dhe botërore. “, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.
“Internacionalja Liberale është një organizatë e partive liberale dhe demokratike – e cila është themeluar në Oxford në vitin 1947. Aktualisht, Internacionalja Liberale – brenda vetes ka mbi 120 parti politike dhe organizata nga e gjithë bota.
Anëtarësimi në Internacionalen Liberale, përveç që plotëson ciklin e ndërkombëtarizimit të PDK-së, fuqizon përkushtimin dhe vizionin tonë për ndërtimin e një shoqërie ku liria individuale, mundësitë e barabarta dhe drejtësia për të gjithë, pa dallim, do të jenë vlerat themelore.
Urime të gjithë kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve tanë ky lajm kaq i madh dhe i rëndësishëm.
Besoni në Kosovë – Besoni në PDK!”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/