Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar 28-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, transmeton Fol Drejt.
Krasniqi ka thënë se regjimi kriminal serb kreu aktin më të tmerrshem të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim 8372 civilë të paarmatosur, djem, burra e pleq.
“28 vite më parë, në Srebrenicë, regjimi kriminal serb kreu aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vrarë në gjakftohësi dhe me paramendim 8372 civil të paarmatosur, djem, burra e pleq.
Në këtë projeksion tragjik, të planifikuar e çnjerëzor, shumë nëna u lanë pa fëmijë, motra pa vëllezër, gra pa burra e vajza pa baballarë – një rajon i tërë i mbuluar me vdekje.”, është shprehur Krasniqi.
“Kriminelët serbë, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiç, nuk kishin kursyer askënd.
Fatkeqësisht, edhe sot, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhembje në tërë Ballkanin, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar.
Asnjëherë nuk do të harrojmë, ashtu që asnjëherë të mos përsëritet!”, ka shkruar Krasniqi më tej./FolDrejt/