Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Për këtë ai reagoi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke bërë thirrje që të ushtrohet presion mbi Serbinë për hapjen e arkivave, shkruan Fol Drejt.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, nderojmë kujtimin për të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, fati i të cilëve mbetet ende i pazbardhur.
Prapa secilit prej tyre, qëndrojnë familjet që mbi dy dekada jetojnë me dhembjen dhe ankthin e mosnjohjes së të vërtetës për ta.
Institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, si dhe institucionet ndërkombëtare duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave, si dhe sa më shpejtë të vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e tyre”, u shpreh Krasniqi./FolDrejt/