Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas emërimit të Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, transmeton Fol Drejt.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se mediat, deri më sot, u kanë penguar qeverive autokratike e të dështuara, duke aluduar kështu në qeverinë aktuale të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.”, është shprehur Krasniqi.
“Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.
Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.
Larg duart nga mediat!”, ka shtuar më tej./FolDrejt/