Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reagojë më shpejt për heqjen e barrikadave, derisa ka theksuar se kanë mbështetjen e plotë të PDK-së, transmeton Fol Drejt.
Krasniqi përmes një postimi në facebook ka përmendur takimin e sotëm që ka realizuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me KFOR-in.
“Në ditën e 17 të vendosjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, Kryeministri Kurti realizoi edhe një takim me KFOR-in. Mbajti edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Dhe cili është rezultati?
Barrikadat mbesin, shpërthimet në pjesën veriore vazhdojnë, sulmet ndaj gazetarëve vijnë e shtohen, jeta e qytetarëve po rrezikohet, tentimi për të krijuar një realitet të ri po avancon e shqiptarët po largohen çdo ditë nga ajo pjesë e vendit tonë.”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, ai ka shtuar duke thënë se Qeveria duhet të tregohet vigjilente për heqjen e barrikadave.
“Qeveria duhet të jetë vigjilente dhe të reagoj sa më shpejtë për të hequr barrikadat të cilat janë kthyer në punkte të Vuçiqit, si tentim për ndarjen e Kosovës. Për këtë, po e përsëris, Qeveria e ka mbështetjen time të plotë.
KFOR-i ka bërë një punë të mirë deri më tani për të ruajtur paqen, për çka u jemi falënderues, mirëpo, heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.”, ka shtuar ai tutje.
Krasniqi, në vazhdim ka thënë se është e sigurt se këto barrikada janë vendosur nga grupet kriminale, të orkestruara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe se këto grupe po inkurajohen nga heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë.
“Gjithsesi, në këto tri javë, dy gjëra janë të sigurta:
E para, barrikadat i kanë vendosur grupet kriminale të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim destabilizimin dhe nënshtrimin e Kosovës.
E dyta, në inkurajimin e këtyre grupeve dhe krijimin e një realiteti të ri atje, po ndikon tej mase heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë.
Prandaj, siç kam bërë gjatë gjithë kësaj kohe, disa herë, po e bëj këtë thirrje përsëri sonte, uroj për herë të fundit:
Reagoni! Hiqni barrikadat! Çdo minutë që po kalon, po rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Qytetarët kanë votuar për Qeveri që e qeverisë krejt Kosovën e jo vetëm deri te Ura e Ibrit. Andaj, mos u zbrapsni se do të ju mbështesim të gjithë!”, ka thënë Krasniqi./FolDrejt/