Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, transmeton Fol Drejt.
Siç njofton Krasniqi përmes një postimi në facebook, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës, me ç’rast i pari i PDK-së, ka shprehur shqetësimin për potencialin e përshkallëzimit të situatës atje.
“Është vendimtare që institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e paqes atje të jenë në nivel të detyrës. Ne kërkojmë rikthim të normalitetit, shtetit ligjor dhe zhvillim të lirë të jetës atje për të gjithë qytetarët”, është shprehur Krasniqi në postimin e tij.
“Me ambasadorin Davenport diskutuam edhe për procesin e reformës zgjedhore në Kuvendin e Kosovës. Duke i uruar festat e fundvitit, ambasadorin Davenport e falënderova për konstruktivitetin dhe kontributin e tij për shtetin dhe shoqërinë tonë!”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/