Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë dhe atyre Shqiptarë.
Siç njofton vetë Krasniqi, ata i ka njoftuar me zhvillimet e fundit politike e socio-ekonomike në vend dhe me qëndrimet e PDK-së lidhur me to.
“Sot kisha një takim shumë të mirë dhe të këndshëm me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë (KAA) dhe Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë (KASH).
Ambasadorët amerikanë të udhëhequr nga ambasadori Timothy Çorba dhe ata shqiptarë në krye me Besnik Mustafaj, i falënderova për kontributin e gjatë në përfaqësimin e shteteve të tyre dhe shërbimin në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut – kudo nëpër botë.
Ambasadorët i njoftova edhe me zhvillimet e fundit politike e socio-ekonomike në vend si dhe qëndrimet e PDK-së lidhur me to.”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.
“Nga ish-ambasadorët amerikanë kërkova që roli i tyre dhe i SHBA-ve në Kosovë të mbetet aktiv, posaçërisht në procesin e dialogut me Serbinë, drejt synimit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Mbyllja e konfliktit të ngrirë dhe hapja e kapitullit të ri të paqes e prosperitetit është rruga e vetme përpara për Kosovën.
Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj SHBA-ve për rolin dhe mbështetjen vendimtare në luftën dhe përpjekjen tonë për liri, pavarësi e shtetndërtim.”, ka shtuar tutje./FolDrejt/