Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot dy Përfaqësuesit Specialë të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes dhe Anzej Franges, të shoqëruar nga ambasadorët e të dy shteteve në Republikën e Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Siç bën me dije Krasniqi, në takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend dhe propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me procesin e dialogut. Kosova ka pasur nevojë për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme. Fatkeqësisht, kjo marrëveshje jo vetëm që nuk është finale, por parasheh asociacionin në qendër dhe jo njohjen ndërsjellë – duke zvarritur pafundësisht konfliktin e ngrirë me Serbinë.”, ka thënë Krasniqi.
“Natyrisht, përgjegjësia e plotë bie mbi lidershipin e dobët të Kryeministrit Kurti, i cili, përkundër mbështetjes që i kemi ofruar për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor të Norvegjisë dhe të Sllovenisë, së bashku me ambasadorët e tyre në Kosovë, i falënderova për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që shtetet e tyre i kanë ofruar Republikës së Kosovës.”, është shprehur tutje./FolDrejt/