Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomike.
Ai ka thënë se ky raport sipas tij ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga Qeveria Kurti.
Krasniqi ka nënvizuar faktin se në këtë raport, Kosovën ë vitin 2019 ishte në vendin e 51-të, në 2018-tën ishte në vendin e 56 teksa këtë vit është në vendin e 88-të, pra 28 vende më keq.
“Se cili është trendi i qeverisjes dhe cilësia e qeverisjes së Kosovës sot për sot, më së miri e ilustron kjo përmbysje rapide e statusit të lirisë ekonomike. Për më tepër, kur dihet se në këto raporte, nuk pasqyrohet vetëm liria ekonomike si entitet i veçantë por edhe korrelacioni me faktorë substancial si gjendja e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies, ambientit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror, stagnimi i Kosovës bëhet edhe më i qartë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Kosova ka stagnim të theksuar nën qeverisjen e Kurtit dhe shkaku i këtij stagnimi sipas tij të rinjtë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Nuk ka liri politike, pa liri ekonomike. Ky raport fundamental i një rendi demokratik për të cilin jemi përpjekur vazhdimisht, ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga qeveria Kurti.
Në vitin 2018, në vlerësimin e think-tankut të njohur e të respektuar ndërkombëtarisht me qendër në ShBA, Heritage Foundation, përkatësisht në Raportin e Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomike, Republika e Kosovës rangohej në vendin e 56-të, duke lënë mbrapa shumë demokraci të zhvilluara, si Spanja, Sllovenia, Kroacia, Franca e të tjera.
Në vitin 2019, rangimi i Kosovës listohej në vendin e 51-të. Në vitin 2020, në vendin e 53-të, ndërsa në vitin 2021, në vendin e 58-të. Trendi i lëvizjes ishte dinamik, por ai nuk dilte jashtë parametrave të një shteti që krijonte klimë të mirëfilltë për ndërmarrësinë dhe lirinë ekonomike.
Fatkeqësisht, Raporti i vitit 2022, Kosovën e nxjerr nga parametrat e lirisë ekonomike duke e zhvendosur në vendin e 86-të, pra plot 28 vende më keq, aty ku fillon të shënohet vija në mes demokracive dhe regjimeve politike. Dhe këtë, për vetëm një vit qeverisjeje të pa vizion e pa agjendë zhvillimore të qeverisë Kurti.
Se cili është trendi i qeverisjes dhe cilësia e qeverisjes së Kosovës sot për sot, më së miri e ilustron kjo përmbysje rapide e statusit të lirisë ekonomike. Për më tepër, kur dihet se në këto raporte, nuk pasqyrohet vetëm liria ekonomike si entitet i veçantë por edhe korrelacioni me faktorë substancial si gjendja e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies, ambientit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror, stagnimi i Kosovës bëhet edhe më i qartë.
Fatkeqësisht, për shkak të këtij stagnimi, të rinjtë tanë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën. Ky është sinjal alarmues për të gjithë ne, e do të duhej të ishte alarm 24 orësh për qeverinë Kurti, e cila për çdo ditë po e çon Kosovën një hap më tutje drejt mjerimit e pasigurisë sociale.