Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Pejë, ku humbën jetën një nënë me fëmijën e saj 5-vjeçar, transmeton Fol Drejt.
“Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore. “, është shprehur Krasniqi.
“Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate. “, ka shtuar më tej kreu i PDK-së, duke ftuar Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e saj logjistike e materiale që t’u vijë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e vërshimeve të mbrëmshme./FolDrejt/