Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur urimet e tij për Ditën e Çlirimit të Prishtinës duke e ndërlidhur këtë datë me Lidhjen e Prizrenit dhe duke thënë se që nga Lidhja e Prizrenit janë 121 vite sakrificë, dhembje, luftë e përpjekje për liri, raporton Fol Drejt.
“Urime Dita e Çlirimit, Prishtinë!
10, 11 dhe 12 qershori, Kosovën e ndërlidhin historikisht si asnjë datë tjetër.
Betimi i burrave të kombit, me 10 qershor 1878, në Prizren, shndërrohet në amanet që do të përcillet brez pas brezi, për t’u përmbushur saktësisht 121 vite më vonë – në Prishtinë!
Me 10 qershor 1999 Serbia gjunjëzohet!
Me 11 qershor 1999 Prishtina çlirohet!
Me 12 qershor 1999 liria vjen në Kosovë!”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Krasniqi theksoi se janë 121 vite sakrificë, dhembje, luftë e përpjekje për liri – pa humbur asnjëherë fokusin nga qëllimi final – çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
“Sot, nderojmë të gjithë luftëtarët, veprimtarët, intelektualët dhe martirët ndër breza, të cilët, u bën urë e dritë për këtë ditë.
Nderojmë dëshmorët dhe martirët e Prishtinës!
Sot, përulemi para vetëmohimit të pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, posaçërisht dëshmorëve, të cilët besuan në idealin e luftës së tyre, edhe atëherë kur pak kush kishte më shpresa.
Sot, është obligimi ynë, si shtet e popull, që duke kujtuar e nderuar të kaluarën, të ndërtojmë një vend të zhvilluar – ku secili mund të projektoj një të ardhme të dinjitetshme e prosperuese.
E përjetshme qoftë Kosova!”, shtoi tutje ai. /FolDrejt/