Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se Bashkimi Evropian (BE) me sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë e dëmtoi shoqërinë e saj.
Duke komentuar pakon e re të sanksioneve që përfshin edhe vendimin e BE-së për ndalesën e importit të arit nga Rusia, Peskov tha se sanksionet e vendosura “nuk kanë sjellë deri te ndryshimi i qëndrimeve të Rusisë”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“BE-ja çmendurisht vendosi të imponojë sanksione që dëmtojnë interesat dhe shoqërinë e saj. Populli evropian filloi të vuajë për shkak të këtyre sanksioneve dhe pasojave të vendimeve të marra nga BE-ja”, tha Peskov.
Duke iu referuar çështjes së dërgesave të gazit natyror rus në Evropë, Peskov theksoi se zyrtarët e BE-së kanë dhënë deklarata se “Rusia po përdor situatën e gazit natyror për shantazh për të ushtruar presion politik”.
“Deklaratat e tilla janë absolutisht të pasakta dhe në mënyrë të ashpër i hedhim poshtë. Të gjitha vështirësitë teknologjike me shpërndarjen e gazit shkaktohen nga kufizimet e vendosura nga BE-ja. Këto kufizime nuk lejojnë riparimin e pajisjeve, përfshirë turbinat”, tha Peskov.
Ai tha se kompania energjetike ruse Gazprom është e gatshme tërësisht të përmbushë detyrimet e saj në aspektin e dërgesës së gazit./FolDrejt/