Pasi Kina publikoi “planin e saj të paqes” prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim, Rusia përsëriti qëndrimin e saj se si mund të përfundonte lufta. Kremlini përsëriti se mbetet i hapur për negociata për t’i dhënë fund konfliktit.
Ky është një pretendim që Vladimir Putin e ka bërë në të kaluarën – deri në prillin e kaluar, presidenti rus tha se shpresonte që bisedimet mund të çonin në një armëpushim në Ukrainë.
“Rusia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj ndaj katër rajoneve të Ukrainës – Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kremlini reagoi dje ndaj planit kinez
Kujtojmë se Kremlini dje vlerësoi se plani i propozuar nga Kina javën e kaluar për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë “meriton vëmendje”, por gjithashtu se “për momentin” nuk ekzistojnë kushtet e nevojshme për një zgjidhje “paqësore”.
“Çdo përpjekje që kontribuon në drejtimin e këtij konflikti në një rrugë paqësore meriton vëmendje. Ne po e shqyrtojmë planin e miqve tanë kinezë me vëmendje të madhe,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Është një proces i gjatë.
“Për momentin nuk i shohim premisat që kjo situatë të marrë një rrugë paqësore”, shtoi ai. “Operacioni special ushtarak (në Ukrainë) vazhdon”, theksoi ai.
Të premten, pikërisht në përvjetorin e parë të luftës, Pekini publikoi një dokument 12-pikësh që ftonte Moskën dhe Kievin në bisedimet e paqes. Deri më tani, Moska dhe Kievi nuk kanë treguar një vullnet serioz për negociata dhe kanë reaguar me kujdes ndaj propozimit kinez./FolDrejt/