Kreu i agjencisë turke të hapësirës, Serdar Hussein Yildirim, bëri një pretendim mjaft tronditës për armët që mund të shkaktojnë tërmete në një prezantim shkencor, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Ai tha se ka sisteme armësh që punojnë në parimin e lëshimit të shtyllave të gjata metalike nga hapësira, të cilat më pas futen thellë në tokë dhe shkaktojnë tërmete:
“Nuk mund të bësh asgjë në hapësirë nga hapësira në Tokë. Sidomos në vende si ne. Asgjë! Më lejoni t’ju jap një shembull. E them këtë sepse e kam parë se si funksionojnë në një sistem të tillë armësh, dhe është shumë e thjeshtë.”, pohon Yildirim.
Ai i krahasoi armët e tilla me shtyllat e dritave të rrugës, tetë deri në dhjetë metra të larta.
“Nuk ka asnjë eksploziv brenda tyre, por është një shufër metalike e bërë nga një material i fortë aliazh titani. Ata vendosin një sasi të caktuar në satelit dhe më pas i synojnë dhe i lëshojnë në Tokë,” shpjegon ai.
Yildirim nënvizoi edhe një herë se kjo është një armë me fuqi të paimagjinueshme kundër së cilës thjesht nuk ka mbrojtje.
“Është si një kunj, një majë e mprehtë, për shembull, Zoti na ruajt, bie diku, skenarin e katastrofës nuk do ta përmendim tani, por sapo bie në tokë, depërton deri në pesë kilometra thellë në tokë. Kjo ndodh shumë shpejt dhe krijon një tërmet me magnitudë 7-8 shkallë. Si rezultat i goditjes, gjithçka brenda do të shkatërrohet. E shihni, nuk ka armë, as eksplozivë, as bomba, asgjë të tillë. Por ka një forcë e tillë që vjen nga hapësira dhe nuk ke mundësi ta shohësh, ta ndalosh apo ta mbrosh veten”, shtoi ai.
Nuk dihet nëse këto pretendime të tij kanë të bëjnë me tërmetin që goditi Turqinë më 6 shkurt të këtij viti, i cili la pas rrënime dhe mbi 50 mijë të vdekur.
Pretendimet shkencore për ekzistencën e sistemeve të tilla nuk dihen zyrtarisht për momentin. /FolDrejt/