Rusia po përdor “bomba thërrmuese” në Ukrainë, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Bomba thërrmuese” është një bombë që lëshon disa predha përnjëherë për të goditur qytetarë ose infrastrukturën e synuar.
Stoltenberg tha madje se kanë prova që Rusia po i përdor këto bomba.
Në një konferencë shtypi, ai u tha gazetarëve: “Ne kemi parë përdorimin e bombave thërrmuese dhe kemi parë raporte për përdorimin e llojeve të tjera të armëve që do të ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.
“Veprimet e pamatura rreth termocentralit bërthamor mbrëmë vetëm nxjerrin në pah rreziqet e kësaj lufte. Lufta është e rrezikshme dhe operacionet ushtarake pranë centralit bërthamor vetëm sa shtojnë rrezikun”, u shpreh kreu i NATO-s.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendet anëtare të aleancës janë pajtuar që asnjë aeroplan i tyre nuk duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se trupat nuk duhet të jenë të pranishme në Ukrainë gjatë sulmit rus në këtë shtet, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar masën e ndalim-fluturimit.
Duke folur nga Brukseli më 4 mars, pas takimit me ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltemberg i ka bërë thirrje sërish presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, “menjëherë dhe pa kushte”.
Stoltenberg e ka pranuar se Rusia ka mundësi të rrisë sulmet në Ukrainë, dhe se ditët në vijim “mund të jenë më të këqija”./FolDrejt/