Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, transmeton Fol Drejt.
Në urimin e tij Krasniqi ka kujtuar ndihmën e SHBA-ve për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës.
“Për të gjithë popullin dhe institucionet amerikane, sidomos për amerikanët që punojnë e shërbejnë në Kosovë – Urime Dita e Pavarësisë!
Në shënimin e 247 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikujtojmë fjalët e etërve themelues të këtij shteti dhe parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë.
Këto vlera, mbi të cilat është fuqizuar SHBA – vendi që është fanar dhe garantues i demokracisë në botë, njëkohësisht vendi më mik i Kosovës, shërbejnë si udhërrëfyes për paqe dhe barazi kudo në botën demokratike.”, ka thënë Krasniqi.
“Përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve. Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite!
PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka shtuar më tej./FolDrejt/