Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka vizityar kryeqytetin Kiev të Ukrainës dhe qytetet e afërta Borodyanka, Bucha dhe Irpin, ku shihen plagët e thella të luftës së nisur nga Rusia.
Sipas agjencisë publike holandeze të lajmeve NOS, kryeministri Rutte realizoi një vizitë të papritur në qytetet që vizitoi dhe diskutoi me autoritetet lokale çështjet e ndihmës për rindërtimin e qyteteve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Është e rëndësishme të shihni se çfarë po ndodh këtu me sytë tuaj. Ne me vizitën tonë donim të tregonim mbështetjen tonë për Ukrainën. Ndihma jonë tashmë ka filluar për municione ushtarake, pritjen e refugjatëve ukrainas dhe restaurimin e qyteteve”, deklaroi Rutte.
Rutte deklaroi se vizita në Ukrainë është domethënëse edhe për holandezët.
“Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë për shkak të luftës ndikon drejtpërdrejt tek holandezët”, dhe duke treguar ndërtesën e shembur pas tij ai tha: “Arsyeja e rritjes së çmimeve është prapa nesh”, shtoi ai.
Ai shprehu shpresë që “shkollat të jenë gati për të mirëpritur fëmijët përsëri më 1 shtator”, duke theksuar se nuk ka mbetur asnjë ndërtesë e vetme shkolle që nuk është dëmtuar nga lufta.
“Ndihmat nuk do të ndalen”
Në lidhje me çështjen e rritjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën, Rutte tha se, “Holanda gjithashtu duhet të përforcojë armatimin e vet, por ne erdhëm këtu për ndihmë dhe është e rëndësishme që Ukraina të jetë në një pozicion për të mbrojtur veten. Ndihmat nuk do të ndalen”.
Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren, deklaroi në një letër që i dërgoi parlamentit javën e kaluar se shuma e ndihmës së vendit të saj për Ukrainën deri më tani ka arritur vlerën e 172.7 milionë eurove.
Rutte, i cili tha se është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të takohet me atë sot pasdite.
Gjatë takimit pritet të diskutohen çështje si siguria ushqimore, armët dhe mbështetja ndaj Ukrainës dhe kandidatura e këtij vendi në Bashkimin Evropian (BE)./FolDrejt/