Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Shqipëria dhe 4 vende të tjera thirrën sot në mbledhje Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me arsyen se Rusia ka kryer “krime lufte” në Ukrainë.
Në një deklaratë nga llogaria në Twitter e Përfaqësisë së Përhershme të Britanisë në OKB, thuhet se “Britania, SHBA-ja, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria kanë thirrur Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një takim për Ukrainën”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Rusia po kryen krime lufte dhe vendos në objektivin e saj civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë na kërcënon të gjithëve” thuhet në deklaratë.
Sipas OKB-së, në luftën që Rusia i ka shpallur Ukrainës, kanë humbur jetën 726 civilë dhe janë plagosur 1.174 të tjerë. Ndërsa pas sulmeve 3,1 milionë refugjatë kanë kaluar në vendet fqinje.