Dasma nëpër shtëpi janë mbajtur në vatrat e infeksionit më virusin Korona në Shkup. Ministria e Brendshme mblodhi shefat e policisë së komunave më të prekura të kryeqytetit. Shtrëngimi i masave është në prag të rikthimit nëse shifrat rriten, thonë nga policia, përcjell Gazeta Express nga Alsat.
Gjatë fundjavës, burimet tona thonë se dasma dhe ahengje të tjera familjare janë zhvilluar në Saraj dhe Çair. Zëvendësministri i Brendshëm Agim Nuhiu tha se policia ka detektuar disa parapërgatitje të tjera të dasmave në Shkup.
Ai apelon që të mos organizohen dasma apo ahengje të tjera, sepse do të intervenojë policia duke arrestuar, gjobitur dhe duke i vendosur pjesëmarrësit në karantinë kolektiv.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik janë shqetësuese për Shkupin, ku sot rezultuan pozitiv 35 persona. Në Çair 14 raste të reja, në Studeniçan janë infektuar 5 persona, të gjithë anëtarë të një familje, nga 3 raste në Saraj, Gazi Babë dhe Karposh, nga 2 në Aerodrom dhe Butel si dhe nga 1 në Qendër dhe Kisella Vodë. Kryetari i Aerodromit Zllatko Marin nuk gjeti kohë të na tregoj mbi masat ndaj kllasterëve në këtë komunë. Por, banorët atje shprehën shqetësimin e tyre.
Instituti i Shëndetit Publik:
Çair- 14
Studeniçan- 5
Saraj- 3
Gazi Babë 3
Karposh- 3
Aerodrom-2
Butel- 2
Qendër-1
Kisella Vodë- 1
“Duhet të kthehen masat resktriktive dhe të rritet vetëdija e qytetarëve sepse u bë rrezik për të gjithë.”
“Është me rëndësi të respektohen masat përndryshe vetëm do të rritet numri i të sëmurëve nga virusi.”
“Po këtu u tha se ka shumë të infektuar… sepse nuk i respektojmë rregullat.”
“E shihni se 70-80% e qytetarëve nuk i respektojnë këto masa.”
“Populli ynë sa do të gjobitet mendoj se nuk do të mbushet mend. Nuk jemi të disiplinuar.”
Nga Ministria e Brendshme njoftojnë se personat në izolim dhe vetizolim do të kontrollohen nga policia më tepër së dy herë në ditë. Policia thotë se nuk do të kursejë gjobat as për qytetarët të cilët nuk mbajnë maska dhe nuk respektojnë rekomandimin e ruajtjes së distancës.