Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak se po bashkëpunon me palën serbe dhe po mbron interesat e saj.
Kurti në këtë deklaratë para mediave tha se këto akuza nuk janë për BE-në si institucion, por për emisarin Lajçak.
“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.
Ai tha më tej Serbia nuk ka bërë asnjë propozim veç një dokument kushtëzues.
“Ne kemi besuar që kompromiset që i formulonte Lajçaku janë mes dy propozimeve të Kosovës dhe Serbisë por po del që kanë qenë vetëm deformim të propozimeve tona. Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se në këtë rast nuk mund ta barazoj emisarin evropian me Bashkimin Evropian.
“Kjo duhet diskutuar, kjo mënyrë aspak neutrale e ndërmjetësimit. Emisari Lajçak natyrisht që nuk më jep llogari mua si kryeministër por ai duhet t’i japë llogari Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Unë besoj që ajo çfarë kam thënë këto ditë e fundit është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha i pari i Qeverisë.
Kurti ka folur edhe për masat e BE-së, ndaj Kosovës të cilat ka thënë se nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike.
“Çështja e masave dhe heqjes së tyre ka të bëjë me de-eskalimin në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëveshjen bazike. Masat e i kemi për shkak të përpjekës për destabilizim dhe dhunës së shkaktuar në veri”, tha Kurti.
E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, reagim ka ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçakun për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.
Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”.
Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:
“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.
Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm./FolDrejt/