Aleksandar Vuçiqit i ka ardhur edhe një rast fort i mirë që ta paraqes veten si lider të rajonit, ndërsa Serbinë e tij si kujdestare të fqinjëve.
Ish-ministri i propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit, që gjatë luftës së Bosnjës kishte kërcënuar me vrasjen e qindra myslimanëve në rast se vritet një bashkëkombas i tij, tani po zotohet ta ndihmoj këtë shtet dhe të tjerët në rajon, në kohën kur lufta në Ukrainë ka provokuar frikë në botë, për mungesën e artikujve esencialë, njofton Klankosova.tv.
Serbia si prodhuesi më i madh i grurit i ka mbyllur kufijtë për eksportin e këtij drithi bazik.
Por, ka lënë të hapur mundësinë t’u ndajë një sasi Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë, që i kërkuan ndihmë.
“Natyrisht, kemi sasi të mjaftueshme të grurit, më shumë sesa që duhet, por është e pakuptimtë të thuhet se kemi diçka mjaft, dhe njerëzit tanë fqinj të mos kenë. Në këtë kuptim, Serbia do të jetë e hapur”, është shprehur Vuçiq, për gazetën sarajevase, Dnevni Avaz. “Ne nuk do ta lëmë askënd pa bukë”.
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama tha dy ditë më parë se shpreson shumë që Serbia të kthej përgjigje pozitive, dhe atë falë projektit rajonal që bojkotohet nga gjysma e vendeve fqinje.
“Po negociojmë me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga biznesmenët tanë atje. Dhe do ta bëjmë falë Ballkanit të Hapur”, u shpreh Rama.
E kriza e re, tani e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, është vetëm gjendja e jashtëzakonshme e radhës, ku Vuçiq dhe Serbia po dalin si zemërgjerë për t’i ndihmuar të tjerët që janë më të dobët.
Në kohën e pandemisë COVID-19, që e trazoi botën, qeveria e Beogradit pati dhuruar edhe teste, edhe vaksina. Kjo, meqë i kishte siguruar e para në rajon.
Testet iu dhuruan Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. Kësaj të fundit, iu dhanë 1000 sosh, pikërisht me vendim të Vuçiqit, por duke nxitur debat të nxehtë në Prishtinë, nëse duhet pranuar ky donacion.
Ndërsa kur bota nisi të furnizohet me vaksina, Serbia u hap karshi atyre kineze e ruse, por u bë edhe e para që i siguroi kontigjentet evro-amerikane Astra-Zeneca dhe Pfizer/Biontech.
Kështu, edhe në epokën e imunizimit, qeveria e Beogradit e hapi zemrën. Krahas mundësimit të vaksnimit të shtetasve fiqnj, vendeve të tyre iu dërgoi sasi të mëdha të kurës anti-COVID 19.
Maqedonisë Veriore i pati dhuruar 8.000 doza, Bosnjë e Hercegovinës shumë se 20.000, e Malit të Zi, 2.000 sosh.
Kosovës që kurrë nuk u qartësua nëse i përdori testet e dhuruara, nuk dihet nëse Serbia i ofroi edhe vaksina.
Por si u bë që shteti fajtor për të gjitha luftërat e tmerrshme në Ballkan gjatë viteve 90-ta, e vrasjen e qindra mijë njerëzve, dy dekada më vonë të shitet si burim i humanitetit për vendet fqinje?
Klan Kosova kishte marrë mendimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas edhe ministrit të mbrojtjes, Rrustem Berishës, lidhur me “zemërgjerësinë” serbe në kohën e pandemisë.
“Une mendoj që kjo është vetëm një letër që po e luan Serbia me shtetet e rajonit, në mënyrë që të paraqitet si vend human”, pati thënë Berisha.
Njëjtë kishte konstatuar edhe historian, Frashër Demaj.
“Unë mendoj që ky është një mashtrim i madh me të cilin Serbia po tenton ta rikuperoj imazhin e vet negativ në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Demaj.
Serbisë i është parë me dyshim edhe insistimi për nismën Ballkani i Hapur, në të cilën bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut, por jo edhe Kosova, Mali I Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Këto të fundit, e arsyetuan mos-pjesëmarrjen me bindjen se përfituesi i vetëm i një tregu të hapur rajonal është Serbia, e cila do t’i dominonte vendet tjera në të gjitha fushat, e më së shumti në atë ekonomike.
Për këtë fushën e fundit, mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, vendit që me agresionin në Ukrainë e nxiti krizën e re.