Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zgjedhurit e popullit, janë duke debatuar për krizën energjetike. Opozita e ka “kryqëzuar” mazhorancën për paaftësi të menaxhimit të situatës, transmeton Fol Drejt.
Në mes të hedhje-pritjeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Jahja Koka, është shprehur i zhgënjyer me faktin që vendi nuk i ka ndërtuar kapacitetet me kohë.
““Unë jam këtu para jush për të ulëruar. Edhe në të ardhmen do të ulëroj kështu që të avancojmë zhvillimin shkencor dhe të kultivojmë nanoteknologjinë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Sipas Kokës, idetë dhe mundësitë për t’i ndërtuar këto kapacitete, kanë ekzistuar me kohë, por ato nuk janë jetësuar.
“Problemin duhet ta fillojmë me faktin që jemi vend i bekuar nga zoti që faktikisht jemi vendi i tretë me potencialet energjetike thëngjillore. Ato nuk i zbatuam, nëse flasim deri nesër nuk mund ta zgjidhim ku jemi sot, pas 50 vitesh pas qindra doktoratave, ne të strukur me dhoma të ftohta presim një gjerman të vije ta rregullojë gjeneratorin. Pyesim pse, pse atij duhet t’i paguajmë 2500 mijë euro etj, me gjithë respektin se ai e meriton”, ka thënë Kokaj.
Ndërkaq, deputetët opozitarë, nuk e kanë kursyer pozitën, duke thënë se e vetmja përgjigje e tyre ndaj krizës, si masë preventive, ka qenë ndërprerja e furnizimit për qytetarët./FolDrejt/