Po na parakalon edhe java e tretë e shtatorit dhe bankat shkollore, në shumicën e institucioneve para-universitare në vend, po qëndrojnë të zbrazura, pa nxënës. Institucionet qendrore, duke e përfshirë këtu Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), kanë zhvilluar takime me sindikalistët, por pa rezultat, ndërkohë pakënaqësitë po rriten.
Nga Fol Drejt
Sot paradite në kuadër të përpjekjeve për ta tejkaluar krizën dhe për ta shmangur grevën, Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, pritën anëtarët e Këshillit Grevist, të prirë nga kryetari Rrahman Jashari.
Por çfarë në të vërtetë ofroi qeveria?
Takimi ishte i mbyllur, por në konferencën e mbajtur për media Kryeministri Kurti tha se, përfaqësuesve të Këshillit Grevist iu thanë edhe tri gjëra të reja “për të cilat ata na premtuan se do ta pyesnin anëtarësinë.”
Por çfarë “gjërash të reja” bëhet fjalë, kryeministri tregoi vetë:
“Oferta shtesë ishte kjo: Do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimit publik për Ligjin mbi Pagat. Dhe atyre ua dhamë lajmin të parët, se këtë javë do të fillojë diskutimi publik sepse diskutimet preliminare po përfundojnë duke i përfshirë të gjitha komentet… Dhe dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK-në do ta bëjmë reformën e sistemit pensional në mënyrë që të bëhet diferencimi i kategorive të ndryshme duke e hequr atë pragun famëkeq për 15 vjet… u zotuam tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro.”
Por Këshilli Grevist konsideroi që këto nuk ishin oferta që e bënin diferencën. Kryetari i këshillit, përkatësisht i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari tha se gjëja e vetme e mirë ishte fillimi i dialogut ndërmjet qeverisë dhe sindikatës:
“Për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklarata që veç i dini lidhur me pakon, ne qëndrojmë si zë i sektorit publik me kërkesat tona… temë e nxehtë ishte edhe pakoja. Ata e kanë dhënë pa diskutim me ne, por ne insistuam që kjo shuma e përmendur (që nuk është pranuar nga asnjë grevistë në Republikën e Kosovës), të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës. Por qeveria mbeti tek ajo shuma e proklamuar në pakon dhe po them në këtë situatë, nuk ka arritje, por e mira e kësaj është se uroj që filloi dialogu dhe uroj që kryeministri Kurti dhe të tjerët të mos t’i mbyllin dyert dhe të vazhdojmë me dialogun.”
Opinioni gjykon
Gazetari Lirim Mehmetaj konstatoi që gjuha e kryeministrit përveç që ishte ofenduese, ajo nuk përmbante diçka konkrete:
“Kryeministri pasi i ofendoi grevistët duke ua vënë në pikëpyetje sinqeritetin dhe motivet e kërkesës, iu kërkoi ndjeshmëri dhe dashuri për shtetin. Ai do që t’i ikë prakticitetit të problemit që ka fytyrën e 100 eurove dhe të kalojë në nivele abstrakte shpjegimi. Këtu po qëndron edhe fuqia e Rrahman Jasharit. Derisa kundërshtarët politik të Kurtit kompleksohen nga citatet e kryeministrit dhe retorika rimues e tij, Jashari po operon ndryshe. “Ani bravo, po qato pare”, po thotë ai.”
Në postimin e bërë publik, në llogarinë e tij në Facebook Mehmetaj e justifikon më tej tërësisht sindikatën:
“Kur iu tha njerëzve se Kosova po e zë Kroacinë me zhvillim ekonomik, normalisht se do të duan paga si në Kroaci.”
Për më shumë shihni reagimin e plotë:
Edhe gazetari Ilir Mirena ka ironizuar me ofertat e reja të qeverisë:
“Qysh ju duk more Albin Kurti ne konference për media? Mua m’pelqeu kjo pjesa se kur tha, “oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore për Ligjin për Pagat. Atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik për ligjin e Pagave”… Boll paska ba për grevistet, tash prej lëkurës nuk mund del njeri…”
Për më shumë shihni reagimin e plotë:
Veç këtyre reagimeve, në media kanë vërshuar shqetësimet e prindërve të cilët janë të ndarë në dysh. Brenga po thellohet sidomos për shkakun se ende nuk dihet se deri kur do të vazhdojë kjo “luftë” e qeverisë me sindikatat./FolDrejt/