Trussell Trust, një nga rrjetet më të mëdha të organizatave për grumbullimin e ushqimit në Britani, ka deklaruar se për shkak të çmimeve në rritje të ushqimit dhe kostos së jetesës mes inflacionit më të lartë në katër dekada në Britaninë e Madhe, një numër rekord familjesh me të ardhura të ulëta janë në rrezik nga uria.
Sipas gazetës britanike “The Guardian”, Trussell Trust paralajmëroi se presin 1.3 milionë pako ushqimore në gjashtë muajt e ardhshëm, pasi numri i familjeve në nevojë mund të rritet në mënyrë dramatike, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Shefja ekzekutive e rrjetit Trussell Trust, Emma Revie, paralajmëroi qeverinë britanike se “organizatat e grumbullimit të ushqimit nuk mund të jenë mbështetja e vetme” ndaj krizës së kostos së jetesës.
Duke folur për “The Guardian”, Revie i bëri thirrje qeverisë që të ofrojë “një raund të ri të mbështetjes së synuar financiare për familjet me të ardhura të ulëta gjatë dimrit për të parandaluar vështirësitë e mëtejshme”.
Shkalla e urisë është gjithnjë më e madhe në Britani të Madhe dhe sipas të dhënave të organizatës bamirëse Food Foundation, rreth 10 milionë të rritur dhe 4 milionë fëmijë detyrohen të shmangin vaktet.
Anketa e fundit nga grupi i konsumatorëve Which tregon se rreth 85 për qind e britanikëve tani po shpenzojnë më pak për ushqim.
Hulumtimi tregoi se 46 për qind e konsumatorëve mendojnë se është më e vështirë të ushqehesh shëndetshëm sesa para krizës.
Rreth 18 për qind e të anketuarve thanë se blejnë më shumë ushqime të ngrira, që është më lirë, ndërsa pesë për qind thanë se blejnë më shumë ushqime të gatshme.
Rreth 78 për qind e tyre kanë vështirësi financiare për shkak të rritjes së kostove dhe 42 për qind e familjeve shpenzojnë më pak për artikuj ushqimorë të shtrenjta.
Sipas Zyrës Britanike të Statistikave, indeksi i çmimeve të konsumit në shtator u rrit me 10,1 për qind krahasuar me një vit më parë./FolDrejt/