Në brendësi të një veture në pronësi të një shtetasi të Republikës Çeke, ndodheshin katër shtetas të Republikës së Kosovës të cilët kishin hyrë ilegalisht në Republikën e Kroacisë, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit, raporton AA.
“Policët e drejtorisë policore të Brod-Posavinës dje, më 24 prill, rreth orës 10:15, në autostradën A3 (afër Sredanacit), kanë kontrolluar një veturë me targa çeke, e drejtuar nga një shtetas çek 37-vjeçar. Brenda veturës kanë qenë katër pasagjerë, të cilët janë konstatuar se janë shtetas të Republikës së Kosovës (26, 27, 44 dhe 50 vjeç), të cilët kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kroacisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kroacisë.
Nga hetimi penal i 37-vjeçarit u konstatua se, në bazë të marrëveshjes paraprake me një person të panjohur, për interesa personale, ai ka ndihmuar shtetasit e huaj të lëvizin në mënyrë të paligjshme të cilët kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kroacisë, duke i çuar në drejtimin e Italisë, thuhet në njoftimin për shtyp.
Mësohet se efektivët e policisë arrestuan 37-vjeçarin, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kroacisë, në një shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian ose nënshkrues i Marrëveshjes Shengen dhe ndaj tij do të vijojë hetimi penal, ndërsa ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës do të zhvillohet procedura administrative./FolDrejt/