Kroacia e ka fituar me rezultat 4-1 takimin kundër Kanadasë në rrethin e dytë të ndeshjeve në kuadër të Grupit F në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Kanadezët kaluan në epërsi në minutën e dytë të lojës përmes Alphonso Davies. Kroatët e barazuan rezultatin në minutën e 36-të me golin e Andrej Kramarić. Para pushimit mes dy pjesëve, në minutën e 44-të Marko Livaja realizoi golin e dytë për Kroacinë.
Në minutën e 70-të në skenë ishte sërish Andrej Kramarić që realizoi golin e tij të dytë të takimit dhe të tretin për Kroacinë. Në minutën e 94-të Lovro Majer shënoi për rezultatin përfundimtar Kroacia – Kanada 4-1.
Në takimin tjetër të Grupit F, Maroku e ka mundur Belgjikën me rezultat 2-0. Pas takimeve të rrethit të dytë, Kroacia zë vendin e parë me katër pikë. Maroku renditet i dyti gjithashtu me katër pikë. Në vendin e tretë qëndron Bekgjika me tri pikë, ndërsa Kanada renditet e katërta pa asnjë pikë.
Takimet e rrethit të tretë zhvillohen më 1 dhjetor nga ora 16:00. Maroku luan kundër Kanadasë, ndërsa Kroacia do të përballet me Belgjikën./Fol Drejt/