Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman bëri thirrje për “sanksione kundër Rusisë”.
Pjesëmarrës në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Grliç Radman para takimit dha deklaratë lidhur me Ballkanin Perëndimor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne presim që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të BE-së dhe të vendosin sanksione kundër Rusisë”, tha Grliç Radman.
Duke thënë se në Ballkanin Perëndimor vetëm Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Grliç Radman theksoi se Serbia refuzon të respektojë politikën e jashtme të BE-së.
Ai theksoi se Bosnjë e Hercegovina për të marrë statusin e “vendit kandidat” deri në fund të vitit, duhet të formohet një qeveri në të gjitha nivelet në vend. “Kroacia mbështet plotësisht BeH-në që t’i jepet statusi i vendit kandidat”, tha ministri kroat.
– Mbështetje nga ministrja e Jashtme sllovene për Bosnjë e Hercegovinën
Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon tha se mbështesin dhënien e statusit të “vendit kandidat” për BeH-në.
Ajo tha se në takim do të diskutohet edhe për zhvillimet në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Shpresoj që BE-ja t’i japë BeH-së statusin e ‘vendit kandidat’ deri në fund të vitit. Ndjej se atje është mbështetje më e madhe në këtë drejtim sesa në të kaluarën”, tha Fajon.
Shefja e diplomacisë sllovene potencoi se janë të shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe se nuk janë të kënaqur me “impotencën politike” në Mal të Zi./FolDrejt/