Të gjithë janë të habitur me rastin e virusit Korona që ka kapluar botën, kurse në Maqedoni është e habitshme për rastet e shumta të infektimit në rajonin e vogël të Dibrës, informon foldrejt.com. Si erdhi deri te kjo? Arroganca e neglizhencës ose diçka tjetër?
Kronologjia e përhapjes së Covid-19 në Maqedoninë e Veriut.
26 shkurt 2020: Raportohet rasti i parë me Covid 19. E infektuara është një grua 50 vjeçare, e cila sapo kishte ardhur me simptoma të gripit nga Italia. Ajo shtrohet në spitalin “Nënë Tereza”-Shkup. ‘Qeveria nuk mer masa konkrete’.
6 mars: Ministria e Shëndetësisë raporton për dy raste të reja të infektuar me Covid19. Bëhet fjalë për një çift nga Italia, të cilët kishin arritur në rajonin e Dibrës para disa javësh. Shkon në tre numri i të infektuarve. Shteti nuk merr akoma masa konkrete.
9 mars: Infektohen edhe tre persona të rinj me Covid19, të tre nga Dibra. Popullata ngre alarmin. Këshilli Komunal në Dibër kërkon ndalimin e shkollave.
10 mars: Qeveria ndalon mësimin në shkollat fillore dhe të mesme në gjithë territorin. Për krahasim: në Shqipëri shkollat u mbyllën në 9 mars, kur vendi kishte vetëm dy të infektuar me Korona.
11 mars: Infektohen edhe dy persona të rinj nga Dibra. Numri i përgjithshëm shkon në tetë. Lokalet në Dibër dhe Maqedoni janë akoma të hapura për të gjithë.
Myftinia Dibër ndalon xhumanë.
12 mars: Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, takon pronarët e kafiterive dhe kërkon mbylljen e tyre deri në kalimin e pandemisë botërore.
13 mars: Qeveria merr hapin konkret. Komuna Dibër dhe Qendër Zhupa izolohen. Ndalohen hyrjet-ndalet nga këto komuna.
Shtohen me katër numri i të infektuarve me Covid19. Të gjithë nga rajoni i Dibrës.
14 mars: Raportohen 6 raste të reja me Covid19. Numri i përgjithshëm në shtet shkon në 18.
15 mars: Një ditë e qetë. Nuk ka asnjë të infektuar, por nuk kryhen shumë testime për virusin.
16 mars: Mbyllen gjithë lokalet dhe qendrat tregtare në Maqedoninë e Veriut. Raportohen edhe 5 raste të reja.
17 mars: Raportohen tetë raste të reja. Të gjithë nga Dibra dhe Shkupi. Ndalohet xhumaja dhe namazet me xhematë në të gjithë vendin.
18 mars: Shtohen 11 raste të reja më Covid 19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve shkon në 42. Presidenti Stevo Pendarovski shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme.
19 mars: Rriten me 6 të infektuarit. Virusi fillon të shpërndahet edhe në qytete tjera të Maqedonisë së Veriut.
Në rrjetet sociale qarkullon një foto skandalizuese nga Dibra. Gjatë shpërndarjes së ndihmave, disa dhjetëra dibranë qëndrojnë afër njëri-tjetrit si në tubim. Nuk respektohet masa themelore e distancimit 2 metra nga personi në person.
20 mars: 19 raste të reja më Covid19. Numri i përgjithshëm shkon në 67: 34 nga Shkupi, 30 nga Dibra dhe nga një të infektuar në Gostivar, Shtip dhe Ohër./Foldrejt.com