Nga Özlem Topçu & Şebnem Arsu “Der Spiegel”
Kreu i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, i pret vizitorët në zyrën e tij të veshur me panele druri dhe me zbukurime të ndryshme. Pas tavolinës së tij ndodhet flamuri i pashmangshëm i Turqisë, dhe pranë tij, fotografia po aq e pashmangshme e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Në fakt, İmamoglu mund të bëhet një rival i rrezikshëm për presidentin, ndoshta edhe përpara zgjedhjeve të planifikuara. Nëse opozita do ketë sukses, zgjedhjet e reja do të mbahen së shpejti, kryesisht për shkak të paaftësisë së qeverisë për ta menaxhuar krizën ekonomike që ka prekur vendin.
Erdogan ka qenë dikur vetë kryebashkiak i Stambollit. Për 15 vite radhazi, metropoli u drejtua nga partia e tij. Pastaj Imamoglu kandidoi dhe fitoi përballë kandidatit të Erdogan. Fakti që qindra punonjës të bashkisë së Stambollit, janë ende nën hetim për lidhje të supozuara me terrorizmin, mund të jetë një shenjë se presidenti po e merr seriozisht kryebashkiakun si një kandidat të mundshëm të opozitës.
Ashtu si familja e Erdogan, edhe ajo e Imamolgu vjen nga bregu i Detit të Zi, ku natyra është e egër dhe ku njerëzit janë konservatorë. Pas studimeve për administrim biznesi, politikani sot 51-vjeçar mori drejtimin e kompanisë së ndërtimit të familjes së tij, dhe u bë pjesë e Partisë Popullore Republikane në vitin 2008.
Në fillim u fokusua në politikën lokale. Deri para 3 vitesh, ishte kryetar i qarkut Beylikdüzü, një lagje e shtresës së mesme në anën evropiane të detit Marmara. Në vitin 2019, CHP e propozoi atë si një kandidat surprizë në garën për kryetar bashkie. İmamoglu, një besimtar i devotshëm në një parti laike, garoi përballë një aleati të ngushtë të presidentit Erdogan.
Shumëkush mendonte se ai nuk kishte asnjë shans që të fitonte. Por në fund i surprizoi të gjithë. Imamoglu foli për demokracinë, barazinë, dhe i shpalli luftë mbetjeve urbane. Ai injoroi fyerjet dhe sulmet personale, dhe përsëriti sloganin e tij zgjedhor “Gjithçka do të jetë në rregull!”.
Sipas një sondazhi nga instituti Metropoll, 76 për qind e të anketuarve në janar ishin kundër politikës ekonomike të Turqisë. Presidenti jeton në një pallat të madh, ndërsa Imamoglu e paraqet veten si një nëpunës civil modest. Sipas një sondazhi tjetër, po të Metropoll, ai do të fitonte përballë Erdoganit nëse do të vendosë që të kandidojë.
Unë jam mirë, dhe po ia kaloj ndoshta më mirë se vendi ynë që po përballet me barrën e problemeve të shkaktuara nga kriza ekonomike aktuale. Por lidhja midis 16 milionë banorëve të Stambollit dhe nesh po forcohet çdo ditë e më shumë. Me gjithë sulmet dhe shfaqjet e pakuptimta dhe të tepruara të forcës së pushtetit qendror ndaj nesh, mbështetja e shoqërisë turke na e forcon moralin. Kjo do të thotë se ne po bëjmë një punë të mirë dhe po i dëgjojmë njerëzit, se po përparojmë bashkë me njerëzit.
Ju jeni shprehur se ekonomia është problemi më i madh i Turqisë për momentin. Si ndikon kjo në një qytet kaq të madh sa Stambolli? Si e adresoni këtu problemin e varfërisë?
Ky është problemi më i madh, edhe pse qeveria qendrore përpiqet që ta shmangë vëmendjen prej tij duke krijuar çështje artificiale. Kjo krizë ekonomike nuk është e re, ajo ka tashmë rreth 4 vite e gjysmë. Për shkak të pandemisë, është rritur edhe papunësia, veçanërisht tek të rinjtë. Një në tre të rinj është i papunë, dhe kjo është një barrë e rëndë për familjet.
Gjatë pandemisë, rreth 1.2 milionë familje na janë drejtuar për ndihmë. Kanë kërkuar ushqime ose ndihmë financiare. Bashkia u jep falas qumështin 150.000 fëmijëve. 250.000 nëna me fëmijëve të vegjël kanë kërkuar transport publik falas, ose 4-5 pesë herë më shumë se sa e kishim parashikuar. Dhe ne prodhojmë më shumë nga buka jonë,“buka e popullit”. Kur u zgjodhëm në vitin 2019, prodhonim rreth 700 mijë bukë, tani mbi 1.5 milionë bukë në ditë.
Administrata e qytetit të Stambollit ka siguruar kredi jashtë vendit. Si mendoni ta shlyeni borxhin? Kjo po bëhet më e vështirë, duke pasur parasysh zhvlerësimin e lirës. Mediat pro-qeveritare flasin për “kënetën e borxheve” të bashkisë së Stambollit.
Administrata jonë e qytetit ka 2.5 miliardë euro borxh të jashtëm. Ne kemi zgjidhur problemin e mbetjeve dhe kemi bërë transparencë mbi buxhetin e bashkisë. Ashtu siç kemi shlyer borxhet tona në vitin 2021, do ta bëjmë edhe këtë vit dhe në vitin 2023. Turqia është përballur vazhdimisht me një monedhë të dobët. Por si pushtet lokal ne nuk kemi probleme ekonomike. Jemi më mirë se qeveria qendrore.
Stambolli është një qytet refugjatësh. Por kohët e fundit në gjithë vendin ka ndryshuar qasja ndaj emigrantëve…
Vala e emigrimit është bërë kaq e madhe sepse shumë vende të pasura kanë qëndruar indiferente. Perëndimi nuk ka marrë mjaftueshëm përgjegjësi për këtë krizë. Por kur flitet për çështjen e refugjatëve, në Turqi ka mungesë transparence. Qeveria qëndrore nuk ndau asnjë të dhënë me ne, pavarësisht kërkesës tonë për bashkëpunim. Vendi ynë duhet të garantojë sigurinë e refugjatëve, dhe autoritetet lokale duhet ta mbështesin këtë. Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet që këta njerëz të mund të jetojnë sërish në vendet e tyre.
Mes jush dhe qeverisë qendrore në Ankara, ekziston një luftë e vazhdueshme. Si do të ndryshonin gjërat nëse do të ishit anëtar i AKP-së?
Përpara se të bëhesha kryebashkiak i Stambollit, unë drejtova një qark të qytetit që për 5 vjet nuk mori kurrë asnjë fond nga bashkia e madhe që në atë kohë drejtohej nga AKP. Sot unë përpiqem që të sigurohem që të 39 rrethet e qytetit të Stambollit të marrin të njëjtën sasi fondesh nga qeveria qendrore.
Ndërkohë, vë re se qeveria në Ankara po pengon projektet tona. Kërkesat tona për kredi janë vonuar, ministritë po refuzojnë të japin miratimin. Prej 2 vitesh e gjysmë nuk kemi marrë asnjë kredi nga bankat publike. Vullneti i qeverisë së AKP-së për t’u hakmarrë ndaj nesh po dëmton qytetarët.
Ka pasur përpjekje për të ndërmarrë veprime ligjore kundër jush, duke përfshirë edhe fyerjet. Së fundmi, janë ngritur akuza se njerëzit që punojnë në administratën tuaj kanë lidhje me terrorizmin. Për çfarë bëhet fjalë?
Qeveria është e shqetësuar se pas Stambollit do të humbasë edhe Turqinë. Nga kjo burojnë edhe këto sulme. Ne nuk e kemi problem të verifikohemi, siç po ndodh tani me akuzat për terrorizëm. Ne kemi besim tek inspektorët. Por tek e fundit nuk do të jenë ata që do të marrin vendimet. Në aspektin politik të gjitha këto sulme janë në favorin tonë. Qytetarët na mbështesin ndoshta edhe për shkak të qeverisë në Ankara.<
Dy gazetarë të njohur pyetën së fundmi në një emision politik:Pse Erdogan i frikësohet kaq shumë Imamoglu? Cila do të ishte përgjigja juaj?
Ai më shikon si njeriun që ia vodha Stambollin, pronën e tij. Nuk e di nëse sjellja e tij ndaj meje bart inat. Ndonjëherë mendoj se bart admirim. Stambolli ka humbur kohë nën drejtimin e AKP-së. Mendoj se ai tani më admiron kur sheh shërbimin që po i bëj këtij qyteti.
Imamoglu refuzon të pyetet nëse do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ai thotë se kjo nuk është në axhendën e tij. Por planet e tij politike nuk duket se janë të përqendruara vetëm në një periudhë afatshkurtër.
Disa orë pas shpalljes së anulimit të fitores së tij në vitin 2019, ai doli para mbështetësve të partisë, përveshi mëngët dhe tha:“Rruga jonë është e gjatë!”.Nevojat e shoqërisë turke nuk kanë qenë kaq të mëdha sa sot. Dhe në të njëjtën kohë, besimi tek kreu i shtetit të saj, ka qenë rrallëherë kaq i pakët sa sot. Ky mund të jetë shansi i artë për Ekrem Imamoglu.