Greqia, që bën pjesë në pesëshen e palëkundur mosnjohëse të Bashkimit Evropian, njeh ligjshmërinë e shtetësisë së Kosovës. Së paku kështu deklaron ministri i saj i Jashtëm. Ai përmend se GjND-ja nuk ka gjetur shkelje në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe se ajo nuk është shpallur me ndonjë metodë të dhunshme.
Kryediplomati grek, Nikos Dendias, që së fundmi ka vizituar dy herë Kosovën, tregon se shteti nuk ka qëndrim negativ mbi shtetësinë e saj.
Këtë ai e ka zbuluar gjatë një interviste, dhënë një mediumi grek, kur pyetet se a janë vizitat e tij në Prishtinë dhe zgjerimi i zyrës ndërlidhëse, shenja se Greqia do ta njohë Kosovën.
Dendias këtu ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e pavarësimit të Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare dhe se ajo nuk është bërë përmes mjetëve, të cilat konsiderohen të dhunshme, sipas ligjit ndërkombëtar.
Në vizitën e fundit të Dendias në Kosovë, më 4 qershor, ai ka thënë se Greqia e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, se shteti i tij po e thellon bashkëpunimin ekonomik me Kosovën dhe se Greqia përkrah integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Intervista e plotë e krydipomatit grek është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.