Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov tha se SHBA-ja po e shtyn Evropën drejt falimentimit.
“Sipas vlerësimeve më modeste brenda një viti e gjysmë të fundit, kompanitë evropiane kanë humbur 250 miliardë euro për shkak të sanksioneve të njëanshme perëndimore. Kjo është shifër e madhe”, tha Lavrov gjatë fjalimit në një tryezë të rrumbullakët në Moskë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në takimin ku morën pjesë ambasadorët e disa vendeve u diskutua për zgjidhjen e krizës ukrainase. Lavrov theksoi se SHBA-ja me politikën e saj i ka shkaktuar dëm ekonomisë evropiane.
“Derisa Washingtoni nxjerr përfitime me industrinë e saj ushtarake, nga ana tjetër po e shtyn Evropën drejt falimentimit”, tha kryediplomati rus.
Ai vuri në dukje se SHBA-ja po e detyron Evropën të blejë gazin e saj të lëngshëm natyror me çmim të shtrenjtë.
“Kompanive evropiane po ua imponon ligjet e saj egoiste dhe i detyron ato të zhvendosin operacionet e tyre jashtë vendit, ku kostot janë më të ulëta. Washingtoni, i cili detyron Bashkimin Evropian të heqë dorë nga gjithçka që është ruse, vazhdon të blejë uranium dhe materiale të tjera kyçe nga Rusia”, theksoi Lavrov.