Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka akuzuar Ukrainën për paraqitjen e një propozimi të ri “përçarës” për paqen, duke shpërfillur kushtet e arritur në takimin e javës së kaluar në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video të postuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Lavrov tha se propozimi i ri i paqes iu paraqit grupit negociator rus dje.
“Dje pala ukrainase i paraqiti grupit negociator draft-marrëveshjen e saj, e cila është një përçarje e dukshme e parimeve më të rëndësishme të vendosura në takimin e 29 marsit në Stamboll”, tha Lavrov.
Lavrov theksoi se në dokumentin e Stambollit, të nënshkruar nga kreu i delegacionit ukrainas, David Arakhamia, pala ukrainase pranoi qartë se garancitë e propozuara të sigurisë në të ardhmen nuk do të përfshijnë Krimenë apo Sevastopolin. Këto dy territore u morën nën kontrollin e Rusisë në vitin 2014, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
“Në dokumentin e djeshëm, kjo deklaratë e qartë (nga 29 marsi) mungon dhe në vend të kësaj propozohet një formulim i paqartë për një ‘kontroll efektiv’ të caktuar nga shteti që nga 23 shkurti (një ditë përpara se Rusia të nis luftën)”, tha Lavrov.
Përveç kësaj, shtoi Lavrov, Ukraina gjithashtu propozoi diskutimin e çështjeve të Krimesë dhe Donbasit në një takim presidencial.
Në prag të luftës, Rusia njohu si “të pavarura” dy enklavat e shkëputura në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas. Që nga viti 2014, rajoni është përfshirë nga konflikti me separatistët pro-rusë.
“Ne të gjithë e mbajmë mend se si presidenti ukrainas (Volodymyr) Zelenskyy shumë herë pretendoi se një gjë e tillë (diskutimi) është e mundur vetëm pas përfundimit të armiqësive. Ka shumë gjasa që në fazën tjetër pala ukrainase të kërkojë tërheqjen e trupave dhe të vazhdojë të grumbullojë më shumë kushte të reja. Ky plan është i qartë dhe është i papranueshëm”, tha Lavrov.
– “Plani i vërtetë i Ukrainës është të vonojë dhe të ndërpresë bisedimet”
Më tej, shefi i diplomacisë ruse tha se pas takimit në Stamboll, në përgjigje të “realizmit të lulëzuar” në pozicionin e Ukrainës, Rusia kreu de-përshkallëzimin e rajoneve të kryeqytetit Kiev dhe qytetit Chernihiv si një shenjë e vullnetit të mirë për të ndihmuar në inkurajimin e arritjes së marrëveshjes.
Lidhur me këtë çështje, qeveritë perëndimore kanë kundërshtuar pretendimet e Rusisë për de-përshkallëzim, duke theksuar se në vend të kësaj trupat thjeshtë janë ri-vendosur diku tjetër.
Lavrov foli edhe mbi skenat e masakrave të dukshme ndaj civilëve në qytetin Bucha, afër kryeqytetit Kiev, të cilat kanë shkaktuar zemërim të gjerë.
“Si përgjigje ne morëm një provokim në Bucha, që menjëherë u përdor nga Perëndimi për të shpallur një paketë të re të sanksioneve dhe mizori kundër të burgosurve rusë të luftës nga ana e neo-nazistëve ukrainas”, tha Lavrov.
Rusia ka pretenduar se pamjet nga qyteti Bucha janë inskenuar dhe i quajti ato si “sulme me lajme të rreme”.
Një ndryshim tjetër në draft-marrëveshjen e paqes, theksoi Lavrov, ka të bëjë me statusin neutral dhe jo-bërthamor të Ukrainës, së bashku me domosdoshmërinë për të rënë dakord që vendet garantuese të zhvillojnë stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e trupave të huaja.
“Në draft-marrëveshjen që erdhi dje, ky term i paqartë është zëvendësuar, tani përmend mundësinë e mbajtjes së ushtrimeve të tilla nëse e autorizojnë shumica e vendeve garantuese, pa përmendur Rusinë”, theksoi Lavrov.
Sipas tij, lëvizjet e tilla tregojnë planin real të Kievit për të vonuar dhe ndërprerë negociatat duke u larguar nga marrëveshjet tashmë të arritura.
“Ne në këtë zbulim të faktit shohim se regjimi i Kievit kontrollohet nga Washingtoni dhe aleatët e tij, të cilët e shtyjnë presidentin Zelenskyy të vazhdojë armiqësitë”, tha Lavrov.
Pavarësisht nga të gjitha provokimet, theksoi ai, Rusia do të vazhdojë bisedimet e paqes, duke promovuar draftin e saj që përmban plotësisht kërkesat e qarta, origjinale dhe kyçe.