Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billström, sulmet ndaj Kuranit në vendin e tij i cilësoi si “të neveritshme” dhe tha se qeveria po përpiqet të ndryshojë ligjin në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Algjerisë thuhet se ministri i Jashtëm suedez, Billström ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm algjerian, Ahmed Attaf.
Gjatë bisedës, Billström tërhoqi vëmendjen për ekzistencën e kufizimeve kushtetuese që kufizojnë aftësinë e qeverisë së vendit të tij për të parandaluar sjellje të tilla, duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për këto veprime, të cilat vendi i tij i përshkruan si “të neveritshme” dhe duke hedhur poshtë qartë incidentin ai tha: “Ne po punojmë të mos përsëritet mosrespektimi ndaj Kuranit”.
Bilström e informoi Attaf-in për iniciativën e ndërmarrë nga Ministria suedeze e Drejtësisë për të “vlerësuar mundësinë e përshtatjes së ligjit suedez për ruajtjen e rendit publik me nevojën për të adresuar këtë sjellje të papranueshme”.
Ministri algjerian Attaf tërhoqi vëmendjen për vlerat e Suedisë si bashkëjetesa, shtrirja e dorës së ndihmës. Ai theksoi se mosrespektimi i Kuranit bie ndesh edhe me vlerat dhe traditat e Suedisë. Në Algjeri të hënën janë thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike të Suedisë dhe Danimarkës për shkak të sulmeve ndaj Kuranit dhe u është dorëzuar notë proteste.
Anëtarët e grupit margjinal anti-islam dhe ultra-nacionalist “Danske Patrioter (Patriotët danezë)” në Danimarkë dogjën Kuranin të hënën, fillimisht përpara ambasadës iraniane dhe më pas para ambasadës irakiane në Kopenhagë.
Salwan Momika, me origjinë irakiane që jeton në Suedi, dogji Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stokholmit në ditën e parë të Kurban Bajramit. Më 20 korrik, Momika shkeli Kuranin dhe flamurin irakian nën mbrojtjen e policisë përpara ambasadës së Irakut në Stokholm.