Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në një takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, transmeton Fol Drejt.
Gjatë takimit u bisedua për projektet e deritanishme të NDI-së dhe aspektet e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen, me fokus në fushën e transparencës, hulumtimeve parlamentare dhe ngritjen e kapaciteteve ligjvënëse.
Me këtë rast u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë në lidhje me themelimin e Institutit Parlamentar, avancimin e mbikëqyrjes dhe transparencën në Kuvend.
Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e çmuar të NDI-së në drejtim të konsolidimit dhe forcimit të kapaciteteve legjislative dhe institucioneve demokratike shtetërore, duke ritheksuar gatishmërinë e Kuvendit për intensifikimin e bashkëpunimit. Ai vuri në dukje se në saje bashkëpunimit të ngushtë të stafit të Kabinetit dhe atij të NDI-së është arritur mbështetja më e madhe deri më tani për Kuvendin nga ky Institut dhe USAID.
Nga ana e saj, drejtoresha Soderberg e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe vuri theksin në rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Kuvendin dhe institucionet e tjera, në funksion të efikasitetit dhe fuqizimit të legjislativit, si dhe forcimit të demokracisë në Republikën e Kosovës.
Qëllimi i përgjithshëm i memorandumit është të fuqizojë barazinë gjinore, qeverisjen llogaridhënëse dhe integritetin e informacionit. Projekti synon të ofrojë asistencë teknike të bazuar në hulumtim dhe në formë strategjike t’i kontribuojë përkrahjes së avancimit të gjithëpërfshirjes, lidershipit politik të grave, të avancojë shërbimet profesionale të Kuvendit, transparencën parlamentare dhe mbikëqyrjen e ekzekutivit./FolDrejt/