Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu i është drejtuar me një kërkesë kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë që të ulet në tavolinë me përfaqësuesit e SBAShK-ut për gjetjen e një zgjidhje, pas situatës me grevën që është krijuar në vendin tonë.
“Edhe një e hënë tjetër iku e nxënësit tanë vazhdojnë në shtëpi. Por, jo të gjithë nxënësit. Vetëm ata që ndjekin shkolla publike. Vetëm ata që nuk munden me e përballu shkollimin privat. Çfarë po bëjmë? Po e theksojmë ndarjen e klasave: kush ka e kush nuk ka? Çfarë po presim? Kush po dorëzohet i pari? Kush po del më “i forti”? Trishtuese”, shkroi ajo me anë të një postimi në Facebook.
Ajo i kërkoi shefit të qeverisë gjetjen e një zgjidhjeje, pasi sipas saj, fitohet udhëheqësia dhe nuk lihen në faj vartësit.
“Kryeministër, uleni në tavolinë edhe SBASHK-un. Gjejeni zgjidhjen. Prandaj fitohet udhëheqësia. Nuk lihen në faj vartësit. Nuk pritet në pafundësi zgjidhje nga poshtë. Nuk kemi nevojë për drama të reja. Të sigurohemi që të hënën tjetër dhjetra mijëra nxënës e fillojnë ditën në banka të shkollës sikurse shokët e shoqet e tyre në shkolla private”, përfundoi ajo.