Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, theksoi se numri i shqiptarëve të ardhur ilegalisht në Britani është ulur për 90 për qind, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Sunak mbajti një konferencë për media rreth punimeve të bëra në 5 muajt e fundit për parandalimin e kalimeve me gomone në Britani, si dhe rezultatet e arritura.
Duke deklaruar se sistemi i imigracionit në vend është shumë i zënë për të ndihmuar emigrantët që kanë vërtet nevojë, për shkak të atyre që vijnë nga vende të sigurta, Sunak tha se për strehimin e migrantëve të parregullt çdo ditë nga xhepi i britanezëve dalin 6 milionë sterlinë.
“Plani ynë filloi të funksionojë”, tha ai duke shtuar se migrimi i parregullt i cili ka shënuar një rritje katërfish në dy vitet e fundit ka rënë në kuadër të planit të filluar në dhjetor të vitit 2022.
Ai njoftoi se trafikuesit e njerëzve janë duke punuar mbi rrugë të reja për të kaluar Kanalin e Manshit, ndërsa tregoi se vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në plan ndërkombëtar.
Sunak theksoi se si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar me Francën për ndalimin e kalimeve ilegale janë ndalur 33 mijë kalime dhe ky numër ka qenë 40 për qind më shumë se ai i vitit të kaluar.
Lidhur me çështjen, Sunak tregoi se ka folur edhe në platforma ndërkombëtare si G7, Këshilli i Evropës dhe Komuniteti Politik Evropian.
“Javën e kaluar me Bullgarinë ramë dakord mbi një plan të ri veprimi, filluam bisedimet me Frontex. Shqipëria, me të cilën bëmë marrëveshje në dhjetor, është një vend i sigurt evropian ku pothuajse një e treta e emigrantëve të parregullt mbërrijnë me anije. Në 6 muajt e fundit 1.800 persona i riatdhesuam në Shqipëri. Përderisa pranonim kërkesën e një në çdo pesë shqiptarë që kërkojnë azil, ky numër tani ka rënë në 1 në çdo 50 shqiptarë. Këtë vit deri më tani numri i shqiptarëve të ardhur ilegalisht në Britani është ulur për 90 për qind”, theksoi Sunak.