Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka deklaruar se lufta në Ukrainë është gjithashtu “lufta jonë”, ndonëse Holanda nuk është fjalë për fjalë në luftë me Rusinë.
“Kjo është (edhe) lufta jonë. Nuk po them se jemi në luftë me Rusinë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën me të gjitha burimet për ta fituar këtë luftë. Po e bëjmë këtë për veten tonë, jo për Ukrainën”, tha Rutte në një fjalim në parlament, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të krijojë “Perandorinë e madhe ruse”, tha ai, duke shtuar se “kjo luftë nuk do të përfundojë me Ukrainën”.
“Atëherë kush është viktima e radhës? Atëherë pasojat për Ukrainën, vendet fqinje dhe NATO-n dhe Holandën në tërësi, do të jenë shumë më të mëdha. Ne jemi gjithashtu nën një kërcënim të madh lufte. Kjo ndikon në sigurinë tonë, lirinë dhe mirëqenien tonë”, tha ai.
Rutte tha se Holanda nuk mund ta lejojë Putinin të shkatërrojë “çdo gjë që kemi ndërtuar së bashku në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, duke shtuar se, “Ne nuk mund të kthehemi në një epokë ku mbizotëron fuqia e të fortëve. Nuk mund të kthehemi te shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut, torturat dhe varret masive”.
Ai theksoi se nuk është opsion që Holanda “të heq dorë nga mbështetja e sanksioneve në mënyrë që të blejë sërish gaz të lirë nga Rusia”. Sipas tij, kjo do të ishte “pranimi i shantazhit”./FolDrejt/