Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, në samitin e G20 të javës së ardhshme në ishullin indonezian Bali, por bëri të ditur se deri më tani nuk është planifikuar asnjë takim.
Albanese u tha gazetarëve se vendi i tij dëshiron të bashkëpunojë aty ku është e mundur, por theksoi se ai duhet të mbrojë vlerat australiane, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne mirëpresim çdo dialog, sepse nga dialogu vjen mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë. Kështu që deri më tani nuk ka një takim të planifikuar. Por, ne padyshim do të marrim pjesë në të njëjtat konferenca ose në të paktën dy prej tyre gjatë nëntë ditëve të ardhshme. Unë do të mirëprisja një takim nëse do të ndodhë gjatë asaj kohe”, tha Albanese në një konference për media.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Australisë u përkeqësuan pasi Australia u bashkua me aleatët e saj perëndimorë në thirrjen për një hetim mbi origjinën e koronavirusit (COVID-19), i cili për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan në vitin 2019.
Më vonë, Kina vendosi tarifa mbi 200 për qind ndaj importeve të verës australiane pas një hetimi “anti-dumping”.
“Ne kemi rreth 20 miliardë dollarë sanksione kundër Australisë. Kjo nuk është në interesin e Australisë për sa i përket vendeve tona të punës dhe ekonomisë, por nuk është edhe në interesin e Kinës”, tha kryeministri australian.
Ai shtoi se këto çështje mund të zgjidhen me dialog, nga i cili do të përfitojnë të dyja vendet.
“Unë kam shumë shpresë. Ne do të vazhdojmë të paraqesim argumentet tona se këto sanksione nuk janë të justifikuara, se ato duhet të hiqen, por ne do të hyjmë në çdo diskutim që zhvillohet pa asnjë parakusht. Dialogu është një gjë e mirë nëse ndodhë”, tha Albanese./FolDrejt/