Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, shprehën mbështetjen, të hënën, për vendimin e Australisë për dëbimin e yllit të tenisit, Novak Gjokoviq, duke thënë se rregullat duhet të ndiqen nga të gjithë, pa dallim.
Gjokoviq u deportua nga Australia gjatë fundjavës sepse nuk ishte vaksinuar kundër COVID-19.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth polemikave, Scholz tha, në një konferencë shtypi në Madrid, se rregullat duhet të respektohen.
“Askush nuk mund të sigurojë që ata kurrë nuk do të infektohen dhe, për fat të keq, nëse infektoheni, nuk mund të përjashtoni mundësinë e vuajtjes së dëmit serioz për shëndetin tuaj. Andaj ne po bëjmë një apel të përbashkët: Vaksinohuni, përfitoni nga mundësia për ta marrë vaksinën sepse është gjëja më e mirë që mund të bëni për veten dhe të dashurit tuaj”, tha Scholz.
“Shumë faleminderit, kancelar. I mbështes fjalët e kancelarit në lidhje me polemikat rreth tenistit Gjokoviq. Rregullat duhet të respektohen. Askush nuk është mbi rregullat dhe nëse këto janë rregullat që ka miratuar qeveria australiane, duhen përmbushur”, tha kryeministri spanjoll.