Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë vizitës në Beograd tha se qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt, shkruan REL.
Greqia është njëri nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarsinë e Kosovës.
“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e mujave të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
I pari i Greqisë tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.
“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, u shpreh ai.
Sipas tij bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.