Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis deklaroi të dielën se Athina do të përpiqet t’i mbajë hapur kanalet e komunikimit me Ankaranë, pavarësisht komenteve “të papranueshme” të Recep Tayyip Erdogan.
“I konsideroj deklaratat e presidentit turk të papranueshme. Megjithatë, ne do të do të përpiqemi që t’i mbajmë të hapura kanalet e komunikimit”, tha Mitsotakis, duke shtuar se ka qenë gjithmonë i gatshëm të takohet me Erdogan, shkruan euronews albania.
Presidenti turk e akuzon Greqinë se po pushton ishuj të demilitarizuar në detin Egje dhe ka deklaruar se Turqia është gati të bëjë atë që duhet në momentin e duhur.
Retorika u ashpërsua gjatë javës, pasi Erdogan e ngriti çështjen duke kërcënuar shtetin helen edhe gjatë vizitës së fundit në Ballkan, ku u ndal në Sarajevë, Beograd dhe Zagreb.
Nga ana e saj, Athina zyrtare reagoi përmes ministrit të Jashtëm Nikos Dendias, i cili deklaroi se kushdo që mendon se mund të sulmojë Greqinë duhet të mendohet mirë, pasi vendi i ka të gjitha kapacitetet e duhura për t’u mbrojtur.
Në mbështetje të saj dolën disa vende të Bashkimit Evropian, mes të cilave Franca, por edhe Shtetet e Bashkuara, që deklaruan se integriteti territorial i Greqisë nuk mund të vihet në dyshim.